Roma nuk mundi dot të fitojë ndaj Cagliarit, edhe pse e kryesoi sfidën për shumë minuta me rezultatin 2-0.

Në çastet e fundit, edhe pse me 9 futbollistë skuadra sarde arriti të barazojë në 2-2, gjë që nuk u pëlqye aspak nga drejtuesit më të lartë të Romës, e sidomos nga presidenti James Pallota. Tashmë duket se pozitat e trajnerit Eusebio Di Francesco janë tronditur ndjeshëm, e tani rrezikon seriozisht shkarkimin nga posti i tij.

Pozicioni i tij ishte vënë në dyshim edhe në javët e kaluara, por këtë radhë gjërat duket se janë më serioze.

Duket se Di Francescos i është dhënë një javë kohë për të treguar se është në gjendje që të drejtojë Romën, kohë në të cilën verdhekuqtë do të luajnë me Victoria Plzen në Champions, një sfidë kjo që është thuajse formale, por edhe me Genoan e Prandellit.

Ajo që mbetet të kuptohet është se çfarë do të ndodhë nëse Di Francesco do të shkarkohet. Në këtë pikë, në horizont shfaqen dy kandidatura; Vincenzo Montella e Paulo Sousa. Montella theu heshjten ditët e fundit pas një kohe të gjatë, duke folur për profesionalizmin e tij e duke lënë të kuptohet se ai është gati.

Ndërsa Paulo Sousa e ka thënë qartë në intervistat e kohëve të fundit se do t’i pëlqentë të punonte me Romën. Ndërkohë në Angli, “bookmakers”-at vazjhdojnë të flasin për kandidaturën e Contes, një hipotezë kjo që për momentin duket e pamundur të realizohet, duke qenë se ish-trajneri i Chelseat refuzoi ofertën e Realit të Madridit, pasi nuk dëshironte që të merrte drejtimin e një skuadre në mes të sezonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA