VIDEO/ “Më dëgjo dhe mua”, Ministria e Drejtësisë ngjyroset portokalli në mbrojtje të grave të dhunuara

08/12/2018 09:24

Ministria e Drejtësisë është ngjyrosur me portokalli mbrëmjen e kaluar, duke ju bashkuar kështu fushatës kundër dhunës ndaj grave.

Në një video të postuar në rrjetet sociale nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tregohet momenti kur Ministria e Drejtësisë ndriçohet e ngjyroset me portokalli, jo për festat e fundvitit, por për një kauzë madhore, siç është fushata kombëtare e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje me temë “Bëje botën portokalli: Më dëgjo dhe mua”.

Fushata sensibilizuese, e cila është shoqëruar me një sërë aktivitetesh gjatë muajit dhjetor ka pasur në fokus të saj thirrjen për t’i dëgjuar dhe besuar gratë dhe vajzat e dhunuara, për t’i dhënë fund kulturës së të heshturit dhe për t’i vënë ato në qendër të reagimit.

Sipas të dhënave më të fundit, nga rastet e raportuara në Shqipëri, 74% e të dëmtuarve nga dhuna në familje janë gra. Ministrja Gjonaj edhe më herët është angazhuar në aktivitetet e kësaj fushate, ndërsa pak ditë më parë në një konferencë kombëtare kundër dhunës ndaj grave bëri të ditur edhe qëndrimin e saj të vendosur, për të mos lejuar që asnjë i dënuar për dhunë në familje apo krime seksuale të përfitojë nga amnistia e fundvitit që pritet të miratohet së shpejti.

Top Channel