Opozita kërcënon me protesta, nëse kërkesat e studentëve dhe banorëve të cilët preken nga projekti i Unazës së Re nuk plotësohen.
“Tenderi i Unazës së Re duhet anuluar urgjent, ose përndryshe e gjithë opozita do t’i bashkohet banorëve të Unazës së Re. Kërkesat e studentëve duhen marrë parasysh. Nuk ka nevojë as të çojmë deputetë tek studentët, por dimë të themi që opozita nuk do të ndalet, do të dalë dhe ajo në rrugë për të kërkuar të drejtat e studentëve”, deklaroi Monika Kryemadhi.
Kryetarja e Levizjes Socialsite për Integrim e sheh si leksion për opozitën lëvizjen e të rinjve ndërsa hedh poshtë zërat se opozita qëndron pas protestave studentore.
“Lëvizja Studentore nuk është e asnjë partie politike, e asnjë organizate politike, ajo është e studentëve. Studentët tanë na dhanë një mësim, mua të parën, jam e bindur edhe z.Basha se nuk ka nevojë për të pritur kushtet për të ngritur zërin dhe për të protestuar, por duan besim, duan forcë, duan alternativë”, tha kryetarja e LSI-së.
Deklaratat Monika Kryemadhi i bëri në takimin me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim, ku pati një thirrje edhe për kryeprokuroren e përgjithshme të përkohshme Arta Marku.
“Mos hezito që të marrësh të pandehur dhe mos ia mbyll çështjet Edi Ramës, por hetoje si burrneshë… I bëj thirrje kryeministrit në ikje, Edi Rama të anulojë urgjent tenderin famëkeq të unazës së re. Ja ku i ka paratë e studentëve, 40 milion euro”, tha Monika Kryemadhi.
Top Channel