Zyrtarisht policia konfirmon se janë kthyer pas rreth 100 shtetas grekë dhe 3 gazetarë. Një pjesë e tyre janë prej listës së personave “non grata” në Shqipëri përfshi dhe 3 gazetarët grekë.
Dy tubime do të mbahen sot për Konstandinos Kacifas, i pari në Bularat dhe i dyti në qytetin e Gjirokastrës. Organizatorët e këtij tubimi kanë kërkuar leje për zhvendosjen nga qendra muzeale e qytetit deri në hyrje të tij, në rrugën nacionale te “Ura e Lumit”.
Nga ana tjetër polica e Gjirokastrës ka dhënë leje për organizimin e tubimit vetëm në “Sheshin e Çerçizit” prej orës 11:00 deri në orën 13:00.
Ndërkohë, në të 40-tat e minoritarit Kacifas, dhjetëra grekë do të vijnë në Bularat të Gjirokastrës. Mediat greke kanë shpërndarë një njoftim, ku theksojnë se të shtunën e 8 dhjetorit ora 11.00 do të mbahet një ceremoni përkujtimore për Kacifas në kishën e Shën Athanasit në Bularat.
Në drejtorinë e qarkut të Gjirokastrës kanë mbërritur forcat e Antiterrorit dhe ato të RENEA-s në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se ekstremistë grekë hyjnë ilegalisht në vendin tonë për të marrë pjesë në homazhet për Kacifas.
Mësohet se gjatë kontrolleve të rrepta të ushtruara në pikën kufitare të Kakavijës, policia ka kthyer pas 100 shtetas grekë si edhe 3 gazetarë, të cilët identifikohen si problematikë. Një pjesë e personave të kthyer ishin pjesë e listës “non-grata” ndërsa të tjerë kishin precedentë penalë.
Probleme në kufi ka hasur dhe deputeti i pavarur Nikos Nikolopoulos Achaia, pasi autoritetet kufitare fillimisht i refuzuan kalimin, por pas dy ore negociata ai është lejuar të hyjë në vend.
Gjithashtu prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës, në aksin rrugor Gjirokastër-Bularat, janë të pranishme forcat e policisë, të cilat po kontrollojnë mjetet e personat që hyjnë në fshat.
35-vjeçari Kacifas u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me RENEA-n më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.
Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.
Pas disa orësh ndjekjeje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet.
Top Channel