8 Dhjetori, Dita e Rinisë, ka mbledhur anëtarët e Partisë Demokratike në ambientet e Qytet Studentit, aty ku 28 vite më parë filloi edhe lëvizja studentore që solli edhe rrëzimin e diktaturës komuniste, e pluralizmin në Shqipëri.
Lulzim Basha, kreu i PD, partisë që lindi pas protestave të 8 dhjetorit, është ndalur tek të gjitha zhvillimet në vend gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar për nder të Lëvizjes Studentore të 1990.
Ai tha se kjo është dita ku ne nderojmë studentët e dhjetorit, për kurajën për të sjellë lirin politike për shqiptare, pas 45 vite sundim, nga një klikë injorante. Vlerësimet në fjalimin e tij shkuan për Azem Hajdarit, që siç thotë Basha u bë shpirti i protestës.
“Kjo ditë na kujton se vetëm ata që ngrihen janë të lirë, të bashkuar mposhtin diktaturat. Është festa ime ndaj çdo qytetari, leksionin e parë po e japin studentët e bashkuar të dhjetorit të dytë”, theksoi kreu i PD.
Basha është shprehur se nëse nuk do të ketë Vetting në politikë, parlamenti do të bjerë dhe do të rrëzohet.
“T’i prijmë betejës për të hapur politikën, për ta bërë të aksesueshme nga çdo kush, pavarësisht mundësive ekonomike, që të marrin pjesë në vendime. Vetëm kështu do ti japim një trase të sigurt ëndrrës së studentëve të dhjetorit të dytë. Vetëm kështu deputetët, kryebashkiakët, këshilltarët nuk janë produkt i hajdutëve, krimit, vjedhjes, por janë produkt i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe rinisë shqiptare. Sot në frymëzohemi nga 8 dhjetori i 1990 dhe ti drejtojmë një apel prindërve të studentëve të dhjetorit të dytë: mos heshtni, mos kini frikë, ngrihuni e bashkohuni me ta kundër padrejtësisë, vjedhjes, të keqes. E keqja zmbrapset kur populli bëhet bashkë. Le ta japim sot nga ky shesh ultimatumin tonë politik, si testament të Azem Hajdarit dhe dhjetorit 1990: Parlamenti shqiptar ose do të pastrohet nga krimi ose do të rrëzohet’, tha ndër të tjera kreu i PD-së Lulzim Basha.
Top Channel