Simone Inzaghi dhe vëllai i tij Filippo janë dy trajnerë në “Serie A” që nuk po përmbushin aktualisht objektivat e skuadrave respektive, duke sjellë logjikisht edhe diskutimin për qëndrimin apo jo në post.
Por, dy vëllezërit që dikur mbillnin panik në mbrojtjet e kampionatit italian, i bashkon tani diçka: që të dy kanë mundësi thuajse të barabarta që të mund të zëvendësohen nga trajneri Gianni De Biasi.
Sipas asaj që raportohet në faqet e edicionit romak të “Leggo”, Gianni De Biasi është një nga emrat që shikohen me përparësi të madhe nga drejtuesit e Lazios, nëse ata vendosin të largojnë trajnerin e tyre aktual.
Drejtimi teknik i Simone Inzaghit është vënë seriozisht në pikëpyetje te bardhekaltrit, pasi kriza e ekipit është e dukshme. Faji kryesor është se ai ka lënë në hije Milinkoviç-Saviç, një futbollist që vlen 120 milionë euro, si dhe talentin Luis Alberto.
Ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, që i priu suksesit historik të kuqezinjve me kualifikimin në Europian, ka një admirues të rëndësishëm në hierarkinë e Lazios; drejtorin sportiv Igli Tare.
Gianni De Biasi përflitet në mediet italiane edhe si zëvendësuesi i mundshëm i trajnerit aktual të Bolognas, Filippo Inzaghi. Hera e fundit kur De Biasi drejtoi në “Serie A” ishte në sezonin 2009-2010, në pankinën e Udineses.
Top Channel