Ndeshja me Teutën në Durrës do të jetë një tjetër test i vështirë për kryesuesit e kampionatit shqiptar të futbollit, Partizanin.
“Të kuqtë” vijnë në këtë ndeshje me një moral të lartë, jo vetëm që janë në krye, por pas një fitoreje shumë të rëndësishme në derbin e kryeqytetit, përballë Tiranës.
Nga ana tjetër, skuadra e Teutës është ndër të paktat ekipe, ashtu si dhe Partizani, që ka një seri rezultatesh posizive prej 8 ndeshjesh. Më saktë, humbja e tyre e fundit daton rreth dy muaj më parë, më 3 tetor të këtij viti pikërisht nga Partizani. Por, tashmë situatat kanë ndryshuar.
E pandryshueshme ndërkohë mbetet “kriza bardheblu”. Humbja në derbi ka rënduar psikologjikisht situatën dhe fakti që me Kastriotin e vendit të parafundit ndeshen si rivalë të drejtpërdrejtë për mbijetesë, e tregon qartë këtë gjë.
Bardheblutë kanë një rekord negativ prej 8 ndeshjesh pa fituar në kampionat, teksa suksesin e fundit e kanë marrë në Fushë Krujë, pikërisht kundër Kastriotit.
Por, që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra, duke filluar nga trajnerët, pasi Tiranën nuk e drejton me Ze Maria, ndërsa edhe Kastriotin nuk e drejton Plori. Ndërkohë, java e 16 e Kategorisë Superiore do të mbyllet ditën e diel, me dy çiftet e fundit: Kamza-Luftëtari dhe Flamurtari-Laçi.
Top Channel