Kur nisma e tyre për vetting-un e politikanëve të shkojë në Parlament, demokratët konfirmojnë se do jenë aty, duke shmangur në këtë mënyrë edhe djegien e mandateve.

“Ne do të jemi në Parlament, pasi është iniciativa jonë dhe do duhet të bisedojnë për modalitetet e implementimit. S’jemi të shqetësuar për mandatet tona, por të miratohet vetting-u i politikanëve, që të mos ketë më politikanë që flenë me krimin, as në institucione qendrore, as në pushtetin vendor”, thotë Edmond Spaho.

Nëse nisma rrëzohet nga mazhoranca, numri dy i Partisë Demokratike le të kuptohet se opozita do të vijojë të bojkotojë Parlamentin, duke paralajmëruar radikalizim të qëndrimit: “Nëse vullneti ekziston për ta miratuar, duhet t’i kthehemi normalitetit; nëse do e rrëzojë, do të vendosim për hapat e tjerë të cilët do të jenë më radikalë”.

Për demokratët, draft-opinioni paraprak i Komisonit të Venecias për vetting-un e politikanëve i jep të drejtë opozitës, edhe pse në kushtet e ekzistencës së ligjit të dekriminalizimit Venecia e sheh me rezerva ndërhyrjen në Kushtetutë.

“Drafti është konfirmim i pozicionit të opozitës. Pranohet se në Shqipëri ka problem thelbësor të lidhjeve të krimit me politikën. Thelbësorë që është pranuar ekzistenca e problemit dhe duhet adresuar me mënyrë ligjore, me ligj më vete, me ligjin e dekriminalizimit apo ndryshime kushtetuese apo dhe një ligj që do bashkëshoqërojë procedurat. Është çështje që është lënë hapur dhe ka vend për debat”, deklaroi Spaho.

Komisioni apelon palët që të gjejnë zgjidhje përmes dialogut dhe demokratët shprehen të gatshëm të zbatojnë porosinë e Venecias: “E nevojshme të ketë vullnet politik nga ana e mazhorancës për të pranuar problemin dhe zgjidhjen. Deri më sot ky vullnet politik ka munguar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA