Në Kryesinë e Kuvendit do të mbahet këtë të mërkurë takimi për diskutimin e nismës për vettingun në politikë.

Në lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin informativ të mesditës në Top Channel, gazetari Indrit Maraku dha edhe lajmin se Partia Demokratike ka njoftuar pjesëmarrjen në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, që do të shqyrtojë për herë të fundit përpara raportit të Komisionit të Venecias, nismën e PD-së për vettingun në politikë.

Një pjesë e deputetëve të opozitës kishin mbërritur deri pak minuta më parë, ndërkohë që mbledhja pritej të niste. Në këtë mbledhje, komisioni parlamentar do të shqyrtojë raportet e ekspertëve kushtetues të caktuar nga mazhoranca dhe opozita, përmbajtjen e të cilave e ka mësuar edhe Top Channel.

Sa i përket raportit të ekspertëve të mazhorancës, nisma e PD-LSI-së paraqet mundësi për dublim në mënyrë të papërshtatshme dhe pengim të zbatimit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme, prokurorisë së posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sikurse edhe institucioneve përgjegjëse që merren me procesin e dekriminalizimit. Sipas eksperit të shumicës, kjo nismë e opozitës krijon konflikt me organet e reja të drejtësisë.

Ndërkohë, tjetër gjë mendojnë ekspertët e opozitës në raportin e tyre, ku shkruhet se organet e drejtësisë dhe procesi i vettingut kanë një mision dhe një qëllim të ndryshëm, që nuk përjashtojnë apo plotësojnë njëra-tjetrën. Ekspertët e opozitës sqarojnë se kontaktet e papërshtatshme me krimin e organizuar nuk përbëjnë një vepër penale dhe për këtë gjë nuk janë objekt i punës së SPAK-ut dhe BKH-së. Sipas tij gjithashtu, përjashtimi i politikanëve që kanë kontakte të papërshtatshme me personazhe të krimit të organizuar mund të bëhet vetëm përmes vettingut në politikë.

Raportet pritet të bëhen publike gjatë mbledhjes, që i paraprin vendimit apo opinionit të Komisionit të Venecias. Orët e fundit ndërkohë po qarkullojnë zëra sipas të cilave, “Venecia” mund të japë një vendim në formë hibride, pra të përjashtojë ndryshimet kushtetuese që kërkon PD-ja, por të propozojë që këto ndryshime të kalojnë përmes amendimit të ligjit të dekriminalizimit. Gjithsesi mbeten në kuadrin e zërave.

Por kur do të kalojë për votim në Kuvend nisma e opozitës? Komisioni i Venecias pritet të sjellë opinionin e tij nga mesi i dhjetorit e më pas Kuvendi do të mblidhet në një seancë, e cila ndoshta do të mund të shtohet shtesë në kalendarin e punimeve, ndoshta më 27 dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA