Top Story udhëtoi drejt Krujës, për të gërmuar mbi të kaluarën e Xhafajt, si hetues. Filmimet, Top Story i përqëndroj tek një godinë që sot është Prokuroria e Rrethit Krujë, por dikur ka shërbyer si hetuesi. Këtu janë marrë në pyetje, janë dhunuar psikoligjikisht dhe fizikisht, janë izoluar dhe kryer tortura ndaj njerëzve të pafajshëm.

Valbona Duka Maloku është një nga viktimat e represionit të asaj kohe. Në memorien e saj, është e freskët dhuna e ushtruar në zyrë nga hetuesit e kohës, që për ironi ishte Fatmir Xhafaj.

“Kujtoj se unë mbas asaj kohe fillova punë në fermë se duhet të mbaja motrën dhe vëllain se ishin në shkollë. Fillova në fermë, një ditë prej ditësh më erdhi xhipi atje. Xahari e kishte emrin ai vendi. Më tha brigadieri hip sipër se ka ardhur policia me të marrë. Shkova unë atje dhe më mori Fatmir Xhafaj në pyetje. Ishte hetuesi i vëllait tim”, – shprehet për Top Story Valbona.

Historia nis me arrestimin e vëllait të Valbonës, në shtator të vitit 1985. Këtu nis edhe saga e vuajtjes së familjes Duka.

“Kur vdiq Enver Hoxha në ’85-ën, ky me shokët kishin ngrit dolli gjoja se ka vdekur Enver Hoxha, kanë pirë raki. Dikush i spiunoi dhe e arrestuan, e dënuan 19 vite. Ditën që do martohej e arrestuan, më 22 Shtator”, tha Duka.

Valbona rrëfen më tej, se hetuesi Fatmir Xhafaj, e ka dhunuar si dhe i ka kërkuar florinjtë e familjes, që as nuk ezkistonin. Një terror i tmerrshëm psikologjik dhe fizik.

” Si në kohën e Enverit, edhe presion kishte. Ma ka bërë këtë krah Fatmir Xhafaj..duke më pickuar, kallëzo se ku i ke lënë florinjtë e kallëzo se ku do shkoje me vëllain”, tha Duka.

Ajo akuzon se Xhafaj i mori gjithçka, madje edhe rrobat e trupit.

“Erdhi policia në shtëpi si xhelatët, morën edhe rrobat, syndukun me rroba, me rrugica, me gjithë gjilpënat në të. Shkojsha pyesja ku janë rrobat e mija. Ka qenë një dyqan DND e ka pas emrin në rrugën e Kalasë. Shkoj e pyes atje e më thanë i ka blerë Fatmir Xhafaj me Kujtim Lulin të gjitha rrobat e mija”, tha Valbona.

Pas kësaj, Fatmir Xhafaj, përpilon dosjen hetimore, që do të ishte fatale për familjen Duka. Ata do të internoheshin familjarisht 25 kilometra larg Krujës, në fashtin Bruz-Mal.

“Më datë 16 Maj na kanë internuar, pas dy ditësh baba na vdiq. Këtu është vendi ku na ka vdek baba, dha shpirtin, i pushoi zemra të shkretit. Xhanazëm nuk e prunë në Krujë se thanë është i dënuar, kemi ardhur ne ëktu në fshatin Bruz-Mal”, rrëfen Valbona.

Top Story udhëtoi drejt fshatit Bruz-Mal, ku shumë familje kanë vuajtur internimin.Rrugës, Top Story identifikon monumentin kushtuar 90 vajzave krutane, të cilat u hodhën nga ai që sot quhet Shkëmbi i Vajës, për të mos rënë në duar të pushtuesve turq. Top Story solli rrënoja, të cilat janë gjithçka që kanë mbetur nga banesa ku familja Duka ka kaluar vitet e internimit.Motra e Valbona Duka, Liliana rrëfen për Top Storyn ditën më të bukur të jetës, e cila iu kthy në një makth të vërtetë.

“Atë ditë që kam lindur çunin, unë linda çunin familjen e kanë internuar. Pas dy ditësh babai mua më vdiq. Edhe kemi ardhur me makinë të nesërmen, kemi ndenj deri në 12 të natës atë ditë që na ka vdek baba në Krujë. Kemi ardhur me një Zis, kam ardhur me fëmijë të vogël 2-ditësh në krah. Unë prisja me më ardh mama në maternitet sit ë gjithë, nuk më erdhi dhe e mroa vesh mbrapa se më kanë internuar robt”, shprehet Liliana.

Fatmir Xhafaj i kishte rrënuar jetën familjes Duka. Valbona, e cila dha intervistën për Top Story, pranon me përgjegjësi çdo akuzë të bërë ndaj hetuesit të asaj kohe, Fatmir Xhafaj.

“Ça leverdie kam, pse të rrej? S’kam asnjë arsye pse të gënjej. S’kam pse gënjej, jam duke thënë vetëm të drejtat, të vërtetat”, tha Valbona.

Prej rënies së komunizmit, sot Valbona ka ndërtuar jetën e saj në Gjermani, duke lënë në harresë vuajtjet e asaj kohe.

“Unë kam ik në ’90-ën, nuk jetoj këtu, kam ik me ambasadat. Banjo në Gjermani, kam 28 vite. Kam 16 vite që punoj në bashki”, rëfen për Top Story Valbona.

Top Channel