Letra e shkruar me shkrim nga Albert Ajnshtajn, në të cilën ai ballafaqohet me konceptin e fesë, është nxjerrë në ankand në Nju Jork të martën. E ashtuquajtura “Letër e Zotit” është shkruar në vitin 1954 dhe pritet që çmimi t’i shkojë deri në 1.5 milionë dollarë.

Shkencëtari fitues i çmimit Nobel, në moshën 74-vjeçare shkroi një shënim një faqe e gjysmë, drejtuar filozofit gjerman Eric Gutkind, si përgjigje ndaj një prej veprave të tij. Ajo shihet si një deklaratë kyçe në debatin midis shkencës dhe fesë.

“Kjo letër shumë e sinqertë dhe private u shkrua një vit para vdekjes së Ajnshtajnit, dhe mbetet shprehja më e artikuluar e pikëpamjeve të tij fetare dhe filozofike”. Në letrën e shkruar në gjuhën e tij të lindjes, Ajnshtajni merr parasysh besimin në Zot.

“Fjala Zot nuk është për mua asgjë tjetër, përveçse shprehës dhe produkt i dobësive njerëzore”, shkruan ai. “Bibla është një koleksion legjendash të nderuara, por akoma primitive”. «Asnjë interpretim, pavarësisht sa delikat, nuk mund të ndryshojë gjë në lidhje me këtë.»

Fizikanti po ashtu mendonte për identitetin e tij hebre, duke shkruar se është “si të gjitha fetë e tjera, një mishërim i supersticionit primitiv”.

“Populli hebre me të cilin me kënaqësi i përkas, dhe në mentalitetin e të cilit ndjehem thellësisht i ankoruar, ende për mua nuk ka asnjë lloj dallimi në dinjitet nga të gjithë popujt e tjerë”, shkruan Einstein.

Top Channel