Kjo e martë 4 dhjetori shënon 106-vjetorin e themelimit të ushtrisë shqiptare, njohur zyrtarisht si Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të këtij përvjetori, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka përcjellë përmes rrjeteve sociale konsideratat më të larta dhe urimet më të ngrohta për burrat e gratë nën uniformë, që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të shërbejnë me përkushtim e sakrifica shembullore për mbrojtjen e vendit dhe sigurinë kombëtare.

“Vlerësim maksimal për kontributet e spikatura gjatë operacioneve humanitare, por edhe paqeruajtëse! Urime të veçanta dhe të përzemërta ju përcjell 210 ushtarakëve, të cilët, aktualisht nën flamurin e NATO-s, kontribuojnë për lirinë, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Afganistan, detin Egje, Letoni, Mali, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë! Lavdi të përjetshme dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për Atdheun!”, shkruan më tej presidenti Meta.

Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka publikuar një foto ekskluzive të 4 ushtarakëve shqiptarë në ditët e para të krijimit të ushtrisë kombëtare, më 4 dhjetor të vitit 1912, vetëm pak ditë pasi ishte shpallur Pavarësia e vendit.

“Dua të uroj të gjithë burrat dhe gratë që kanë shërbyer në uniformë gjatë 106 viteve të historisë së Forcave të Armatosura. Faleminderit për kontributin!”, shkruan më tej ministrja Xhaçka.

Foto e publikuar për herë të parë nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në rrjetet sociale.

Top Channel