Përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, deputetja dhe nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku ka sjellë në vëmendje vendimin e qeverisë franceze për pezullimin e rritjes së taksës së karburantit, për të dalë te krahasimi, sipas saj, mes një qeverie demokratike atje dhe një qeverie totalitare në Shqipëri.

“Pas javësh të mbushura me përleshje, qeveria franceze ka marrë sot vendimin për të pezulluar rritjen e taksës së karburantit. Ishte kjo taksë që do të rriste çmimin e naftës e për rrjedhojë të të gjitha produkteve në Francë. Qeveria dhe vet presidenti Macron reflektuan, duke e pezulluar rritjen që do të niste në janar 2019.

Ndryshe nga një qeveri demokratike, kryeministri Rama që udhëheq një qeveri gati totalitare vazhdon të këmbëngulë dhunshëm në prishjen e shtëpive për interesa oligarkësh. I kapur në ethet e pushtetit absolut, ai ka refuzuar të dëgjojë banorët, e lë më pastaj të tërhiqet nga veprimi i tij.

Kështu veproi edhe me protestën e qytetarëve kundër rritjes së taksës së qarkullimit, që ka çuar në stratosferë çmimin e karburantit. Ky kryeministër njeh për miq dhe aleatë vetëm ata me të cilët ndan paratë publike në tepsinë e pushtetit.

Të drejtat e qytetarëve janë të panegociueshme dhe është detyrë e qeverisë që t’i respektojë ato. Shembulli i qeverisë franceze është rasti më i mirë për të dalluar një demokraci nga një rend totalitar”, shkruan Tabaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA