Pasditen e së martës, në protestën e Unazës së Re ishte i pranishëm edhe publicisti Fatos Lubonja, i cili theksoi se kjo protestë nuk është çështje vetëm e banorëve të Astirit, por e të gjithë shqiptarëve.

“Këtu duhet të jemi të gjithë për këtë. Unë kam ardhur si qytetar dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve në Tiranë e kudo në Shqipëri, se kjo është një çështje e rëndësishme. Kurajoja e protestuesve është nxitje për rezistencë edhe nga e keqja që e ka kapur vendin”, tha Lubonja.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu u shpreh: “Opozita u bën premtim banorëve se do jemi në mbështetje të tyre, sa kohë kauza e tyre mbrohet edhe nga Kushtetuta. Kudo ku ka protesta do të mbështesim çdo protestues që mbështet një kauzë legjitime. Shpreh falenderimin më të thellë për zotin Lubonja dhe për të gjithë ata intelektualë, artistë e gazetarë që janë solidarizuar me protestën. Erion Veliaj kreu sot një pabesi ndaj banorëve të Laprakës, sepse i premtuan mosshembjen, meqenëse e kishte apeluar dhe e shembi të nesërmen. U kuptua se s’mund të kemi besë ndaj kësaj qeverie e kësaj bashkie”.

Top Channel