“Paqja tregtare”, Trump: Kina do të reduktojë dhe heqë tarifat ndaj automjeteve

03/12/2018 09:31

Kina ka rënë dakord të reduktojë tarifat ndaj automjeteve të importuara nga Shtetet e Bashkuara, njoftoi presidenti Donald Trump në “Twitter” gjatë orëve të vona të së dielës (ora lokale në Argjentinë), vetëm një ditë pasi arriti ujdinë me homologun e tij kinez, Xi Jinping për një paqe në vazhdën e luftës tregtare mes dy superfuqive më të mëdha ekonomike të botës.

Bursat aziatike shënuan rritje menjëherë pas lajmit se Uashingtoni dhe Pekini nuk do të vendosin më tarifa të reja gjatë kësaj periudhe 3-mujore paqeje, kohë gjatë së cilës të dyja palët pritet të përfundojnë një marrëveshje më të detajuar.

“Pekini ka rënë dakord të reduktojë dhe të heqë tarifat ndaj automjeteve që hyjnë në Kinë nga Shtetet e Bashkuara. Aktualisht, tarifa është në nivelin 40 për qind”, shkroi Trump në rrjetin social aq shumë të preferuar prej tij.

Të shtunën, Trump dhe Xi ranë dakord të ndalnin përkohësisht masat reciproke tarifuese, që ka trazuar tregjet botërore të bursave prej muajsh tashmë.

Presidenti republikan e quajti marrëveshjen mes tyre, – që Uashingtoni shpreson se do të ndihmojë në shkurtimin e hendekut tregtar me gjigantin aziatik dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e pronës intelektuale amerikane, – një marrëveshje “të pabesueshme”.

Trump pranoi të frenohej nga kërcënimi i tij për të vendosur tarifa 25 për qind ndaj produkteve kineze me një vlerë prej 200 miliardë dollarësh nga 1 janari, duke i lënë këto tarifa siç janë aktualisht, në 10 për qind.

Në kundërpeshë, Kina pritet të blejë sasi “shumë të konsiderueshme” produktesh agrikulturore, energjie, industriale dhe të tjera, prej Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, presidenti amerikan nuk vijoi me “cicërima” pasuese gjatë së dielës për të shpjeguar se cilat prej tarifave ndaj automjeteve do të hiqeshin dhe cilat do të reduktoheshin.

  Kina dhe SHBA-ja, marrëveshje për pezullim 90-ditor të tarifave tregtare

Në korrik, Kina reduktoi detyrimet për automjetet e importuara nga 25 në 15 për qind, në shenjë ndihme ndaj prodhuesve ndërkombëtar të makinave, që synojnë të futen rëndshëm në tregun më të madh të botës për automjete.

Por, në mesin e tensioneve tregtare të kësaj vere me SHBA-të, Pekini u hakmor duke vendosur një tarifë ekstra prej 25 për qind ndaj automjeteve të importuara nga Amerika, duke e çuar nivelin total të tarifës në 40 për qind.

Top Channel