Jeta nuk ka qenë e lehtë për 22-vjeçarin Elsid Sekja. Që kur është lindur, i riu përballet me vështirësi në lëvizje.
Elsidi dëshiron të përfundojë studimet dhe t’u shërbejë njerëzve, mbi të gjithë atyre që – ashtu si ai vet, – e kanë jetën më të vështirë sesa të tjerët.
“Unë po vazhdoj shkollën për Punë Sociale dhe jam në vit të tretë sivjet. Arsyeja përse kam zgjedhur degën e Punës Sociale është sepse më pëlqen të merrem me këtë problematikë, me të cilën përballem edhe vet, me fëmijët me aftësi të kufizuara, me paragjykimet që ndodhin në qarkun tonë. Më pëlqen shumë të jem i njerëzishëm”, thotë Elsidi.
Shpesh ndien peshën e diskriminimit, por kjo nuk e ka bërë të dorëzohet.
“Kam pasur raste, por si natyrë e fortë që jam e kam përballuar. Dëgjoj shpesh thënie ‘si e lënë të dalë vetëm’, apo ‘sa gjynaf’. Shpesh jam përballur me lloj-lloj paragjykimesh dhe përbuzjesh, por i kam kaluar me forcë dhe vendosmëri. Sigurisht edhe përkrah familjes, si gjithmonë”, rrëfen më tej Elsidi.
Shumë bashkëmoshatarë mund të synojnë emigrimin, por Elsidi thotë se nuk do të largohet kurrë nga Shkodra.
“Mesazhi im për të tjerët është: Mos u ndieni të paragjykuar, edhe nëse keni një problematikë të caktuar. Gjëja tjetër që iu bëj apel është ta kalojnë jetën e tyre në Shkodër, në vendin ku ata janë lindur, të kontribuojnë për atë vend siç po bëj edhe unë. Megjithëse kam një të metë fizike, për të cilën paragjykohem. Përpiqem ta kaloj. Do të qëndroj në Shkodër, nuk kam qejf të largohem jashtë shtetit. Përderisa unë i kam kaluar këto barriera, është e kotë të largohem nga Shkodra”, thotë më tej ai.
Elsidi është lindur ndryshe, por ndryshe ka zgjedhur edhe të jetojë. Buzëqeshja dhe motivimi i tij përçon optimizëm, bashkë me mesazhin se, askush nuk është i dobët dhe mjafton pak kujdes e dashuri për t’ia dalë.
Top Channel