Kuvendi i Shqipërisë pritet të mbajë sot një seancë plenare, gjatë së cilës do të votohet buxheti për vitin 2019 dhe paketa e re fiskale.
Megjithatë, përpara nisjes së punimeve të saj, që ishte parashikuar për në orën 10, Partia Socialiste raportohet të ketë mbledhur grupin parlamentar.
Kjo, për shkak se kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe ka vërejtje për disa nene të buxhetit, duke u përplasur kështu me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj. Braçe nuk pranoi të kryesonte mbledhjen e Komisionit parlamentar kur u votua për buxhetin, duke votuar madje kundër disa neneve.
Në radhët e mazhorancës janë parashikuar të flasin 10 deputetë për buxhetin, në një seancë tejet të rëndësishme që pritet të bojkotohet sërish nga opozita, e cila vijon të ndjekë rrugën e bojkotit të Kuvendit, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për t’u rikthyer.
Top Channel