Bixhozi, edhe Stërkaj kundër Qeverisë: Nëse del jashtë ligji, të hiqet edhe nga hotelet me 5 yje

03/12/2018 13:10

Buxheti i 2019-s është kthyer në një “mollë sherri” brenda mazhorancës së majtë, teksa që në mbledhjen e grupit të PS-së mëngjesin e së enjtes ka pasur përplasje midis Erion Braçes dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, për tatimet mbi pagën.

Por, përplasje brenda qeverisë janë regjistruar edhe në sallën e Parlamentit, këtë herë duke pasur për motiv “ligjin për lojërat e fatit” që do të hyjë në fuqi më 1 janar, duke kushtëzuar mbylljen e të gjitha basteve dhe lojërave elektronike në zonat e banuara, përveçse në hotelet me 5 yje.

Ka qenë deputeti i PS-së në Shkodër, Paulin Stërkaj, ai që ka dalë kundër këtij vendimi të qeverisë, pasi ka kërkuar që bixhozi e bastet të hiqen edhe nga hotelet me 5 yje.

“Nuk jam as me Braçen për këtë amendament, por nuk jam as me ministrin, se unë këtë nuk e kuptoj. Heqja e lojërave të fatit është hequr në masë absolute te sporti, bixhozi dhe lojërat elektronike, por është dhënë në hotele me 4 apo 5 yje. Pra këtu nuk është hequr bixhozi për njerëzit, këtu bixhozi ekziston. Nëse bixhozi hiqet, të hiqet absolut në çdo institucion turistik”, tha Stërkaj.

Sipas deputetit të PS-së, nëse ky vendim merret për t’i dhënë fund bixhozit, atëherë lojërat e fatit duhen hequr nga çdo institucion turistik, dhe jo të bëhen diferencime mes shoqërisë.

“Jam kundër Braçes që t’i vëmë 30%, sepse ata do të fitojnë. Unë do të isha të hiqen krejt bixhozet, mos stimulohen as në hotele me 5 yje, as me 6 yje, për shkak se këtu po ndajmë shtresat. Të pasurit paskan të drejtë të luajnë, që shkojnë në hotele me 5 apo 6 yje. Ndërsa të varfërit s’paskan të drejtë të luajnë me lojërat e fatit”, theksoi Stërkaj.

Top Channel