“Organizata kriminale e “Rilindjes” ka kaluar buxhetin më katastrofik të 28 viteve pluralizëm, i cili ngarkon me borxh edhe foshnjet e sapolindura”.

Krahas kundërshtisë, opozita e bojkotoi seancën parlamentare ku u votua buxheti i vitit 2019, ndërsa kritikat Lulzim Basha i bëri nga selia e partisë: “Ky buxhet legjitimon zhvatjen dhe grabitjen e taksave së 97% të shqiptarëve dhe pasuron një grup oligarkësh dhe qeveritarësh. Kjo rritje galopante taksash që ka çuar në 1.9 miliardë euro më shumë të marra nga xhepat tuaja, nuk ka sjellë asnjë rritje ekonomike, por e ka futur vendin në një cikël krize”.

Shembulli më tipik i vjedhjes së shqiptarëve, sipas Lulzim Bashës, është projekti i Unazës së Madhe: “Paratë e shqiptarëve, rrush e kumbulla. 40 milionë euro shpenzon qeveria tek Unaza e Re, të njëjtën shumë ka ndarë për një vit për ndihmë ekonomike”.

Opozita e akuzoi kryeministrin për rritjen e borxhit publik, ndërsa denoncoi shpenzimet e luksit: “Borxhi në qeverinë e Edi Ramës arrin në 83% të PBB. Vetëm për zyra, kolltuqe, shpenzime luksi, buzëkuq qeverie dhe makina, kjo qeveri ka vendosur që në vitin 2019 të shpenzojë 18 milionë dollarë. E barabartë me buxhetin që mund të merrnin 128 mijë familje me ndihmë ekonomike”.

Kur të vijnë në pushtet, demokratët do të konfiskojnë përmes ligjit antimafia pasuritë e paligjshme të atyre të cilët i etiketon si oligarkë. Basha nuk kurseu as ata të cilët mund të kenë lidhje politike me partinë e tij: “Askush nuk do të tolerohet, nga i pari tek i fundit, pavarësisht emrit dhe mbiemrit dhe historikut tuaj politik me PD-në, kontratat tuaja dhe koncesionet do të anulohen dhe paratë do i kthehen buxhetit të shtetit”.

Ashtu si Edi Rama në fushatë, kur i ftonte demokratët të votonin numrin 2, si dy gishtat e ngritur lart, Basha ftoi socialistët të harrojnë ngjyrat e partisë: “Mos i shikoni ngjyrat. Le të bashkohemi të gjithë. Le ta kthejmë këtë buxhet në epitafin e merituar dhe gurin e varrit për organizatën kriminale të Rilindjes”.

Demokratët kanë gati platformën e tyre ekonomike, e cila parashikon lehtësira për biznesin, njerëzit në nevojë, të rinjtë dhe fermerët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA