Një vepër arti, një këngë që ka gjithçka, e kanë cilësuar fansat e Alban Skënderaj, projektin e tij më të fundit muzikor “Nëntor, 26”. Këngëtari i njohur ka prekur sërish zemrat e publikut shqiptar, duke sjellë një perlë muzikore, që ka rezultuar tepër e pëlqyer.
Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë jo vetëm është bërë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare por ka mundur të zërë vendin e parë, duke u shpallur zyrtarisht kënga më e pëlqyer e javës.
Të shumta kanë qënë komentet pozitive për këtë këngë, e cila si çdo këngë e Albanit, përcjell një mesazh. Ajo që publiku shqiptar vlerëson më tepër tek ky artist është fakti që këndon në gjuhë letrare dhe në tekstet e tij nuk kanë kurrë fjalë të pista.
Në këtë baladë, tekstin e të cilës e ka shkruar vetë ai, artisti tregon marrëdhënien mes një çifti, e cila përfundon me një surprizë të mrekullushme. Në klipin e kësaj kënge, Albani nuk ka preferuar të paraqitet vetë por e ka përcjellë historinë përmes animacioneve.
I kontaktuar nga “Top Awards” për këtë arritje dhe për këtë vlerësim të madh të marrë nga ana e publikut shqiptar, Albani është përgjigjur: “Shumë i lumtur si çdo herë të jem pjesë e “Top Awards” aq më tepër me këngë si këto që bëjnë pjesë tek këngët e pazakonta dhe zënë një vend të veçantë në repertorin tim muzikor.”
“Faleminderit publikut që ka votuar dhe të gjithë atyre që kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin të përfshihen në projekte muzikore të tilla, duke më inkurajuar më shumë për të ardhmen”, përfundon Skënderaj.
Top Channel