Njeriu ka dy mosha! Kronologjiken, apo atë që tregon kalendari, si dhe moshën biologjike, që bazohet te funksionet e trupit dhe nivelet mesatare të shëndetit.
Ekspertët thonë se njerëzit që kanë të njëjtën moshë kronologjike nuk përballen me të njëjtat rreziqe sëmundjesh.
“Mosha kronologjike nuk tregon sa të moshuar jemi ne me të vërtetë. Është thjesht një numër sipërfaqësor. Ne të gjithë plakemi biologjikisht me ritme të ndryshme, bazuar te gjenet tona, tek ajo që hamë, apo sa ushtrime bëjmë dhe sa toksina ambientale thithim. Mosha biologjike është ajo që përcakton shëndetin dhe jetëgjatësinë tonë. Bazuar mbi moshën biologjike, ne duhet të fryjmë qirinjtë mbi tortë. Në të ardhmen, me avancimin e aftësisë sonë për të kontrolluar moshën biologjike, ne mund të kemi edhe më pak qirinj”, tha David Sinclair, nga “Harvard Medical School”.
Ekspertët kanë identifikuar 9 bioshënjues të marrë në një test të thjeshtë gjaku, që duket se ndikojnë më shumë në jetëgjatësi. Ata fusin të dhënat në kompjuter dhe algoritmi bën përllogaritjen e moshës.
Ky algoritëm, shpejt shpresohet të bëhet i qasshëm “online” dhe kushdo do të mund të përllogariste moshën e tij biologjike dhe të identifikonte rreziqet e mundshme. Njerëzit me një moshë biologjike më të ulët sesa mosha kronologjike kanë më pak rreziqe vdekshmërie, ndërsa ata më të moshuar nga këndvështrimi biologjik kanë rreziqe më të mëdha.
Top Channel