Rikthehen protestat anti Macron në Paris. Ministri i Brendshëm: Agjitatorë mes protestuesve

01/12/2018 12:29

Policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që u përpoqën të thyenin barrikadat e “Champs-Elysees” në Paris, paraditen e kësaj të shtune, teksa qindra persona u mblodhën në kryeqytet për demonstrata të reja, me irritimin ndaj rritjes së taksës së karburantit që është kthyer tashmë në një lëvizje të gjerë antiqeveritare.

Përplasje të dhunshme pati mes policisë dhe demonstruese që mbanin veshjet e kthyera të zakonshme tashmë, jelekët e verdhë simbol të protestave kundër presidentit Emmanuel Macron, vetëm pak pasi turma u mblodh pranë Harkut të Triumfit.

Bulevardi “Champs Elysees” ishte në “shtetrrethim”. Pamjet të ofronin një situatë kontrastuale, me zbukurimet e shndritshme të Krishtlindjes në njërin krah dhe vitrinat e dyqaneve të mbushura me gurë, si dhe grumbujt e policëve dhe makinave ujëhedhëse për shpërndarjen e protestuesve.

Disa prej oficerëve që mbanin veshur mburoja dhe helmeta u spërkatën me bojë të verdhë të hedhur nga protestuesit, që për fat të keq përdorën edhe gurë dhe copëza nga barrikadat e thyera, e deri te llastiqet për të qëlluar mbi garantuesit e rendit publik dhe sigurisë.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Christophe Castaner tha se ishin rreth 200 demonstrues “paqësorë” në “Champs Elysees”, ndërsa “1.500 agjitatorë nga jashtë perimetrit të sigurisë erdhën për t’u përleshur”. Në reagimin e tij të ashpër në “Tëitter”, Castaner shtoi gjithashtu se 39 persona ishin arrestuar.

Banka, dyqane vere dhe kafenetë në rrugët përreth bulevardit të famshëm të kryeqytetit francez nxituan të mbulonin vitrinat e qelqta këtë të shtunë, ndërsa era e akullt e gazit lotsjellës e përzierë me atë të djegies së kazanëve të mbeturinave rënduan ajrin. Disa protestues mbanin maska fytyre, ndërsa të tjerë me maska kundërgazi ose syze skiatorësh.

Top Channel