Ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev i thuri lavde këtë të shtunë presidentit të ndjerë George H.W. Bush, për rolin e tij në dhënien fund të Luftës së Ftohtë, madje duke e quajtur atë “një partner të vërtetë”.
Gorbachev, tashmë 87 vjeç, shprehu “ngushëllimet e sinqerta” familjes së presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara, por edhe të gjithë kombit amerikan. Bushi i vjetër ndërroi jetë të premten në moshën 94-vjeçare, me lajmin që e njoftoi familja e tij.
Dy udhëheqësit në fjalë, Gorbachev e Bush, i dhanë fund Luftës së Ftohtë në një Samit të Maltës në dhjetor të vitit 1989, vetëm pak javë pas rënies së Murit të Berlinit. Bush asokohe deklaroi mbështetje për reformat “perestroika” të Gorbachevit, apo praktikës së ristrukturimit dhe reformimit të sistemit ekonomik e atij politik.
“Shumë prej kujtimeve të mia janë të lidhura me atë njeri. Kemi pasur mundësinë të punojmë bashkë gjatë një epoke të ndryshimeve të jashtëzakonshme”, tha Gorbachev në disa komente të publikuara nga agjencia e lajmeve “Interfax”. “Ajo ishte një epokë dramatike që kërkonte përgjegjshmëri të madhe nga cilido. Rezultati ishte pikërisht fundi i Luftës së Ftohtë dhe garës së armatimit”.
I fundit udhëheqës sovjetik lavdëroi Bushin e vjetër pikërisht për kontributin e tij “në këtë arritje historike”. “Ai ishte një partner i vërtetë”, shton Gorbachev.
Në vitin 1991, Gorbachev dhe Bush nënshkruan Traktatin e Reduktimit të Armëve Strategjike, i njohur edhe si “START I”, duke detyruar dy superfuqitë të angazhoheshin për të reduktuar stokun e armëve, veçanërisht atyre bërthamore me rreze të gjatë veprimi.
Ajo ishte marrëveshja e parë që bënte thirrje për reduktim të armëve strategjike bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ndërkohë, ende nuk ka një reagim nga zyrtarët aktualë të Moskës apo Kremlinit, me presidentin Vladimir Putin që ndodhet në Argjentinë për të marrë pjesë në samitin e udhëheqësve të G20-s.
Top Channel