Presidenti rus Vladimir Putin dhe Princi i Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman shkëmbyen një “përplasje duarsh” dhe buzëqeshje të shfrenuara të premten, ndërsa u ulën pranë njëri-tjetrit në një sesion plenar të Samitit të G20-ës.
Sjellja miqësore e Putinit ndaj princit të kurorës, u dallua ndjeshëm me atë të liderëve të tjerë në samitin e Buenos Aires, ndaj Muhamed bin Salmanit, pas dyshimeve për përfshirjen e tij të mundshme në vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, në konsullatën arabe në Stamboll, në 2 tetor.
Më parë Princi Mohammed u mënjanua gjatë fotografisë familjare zyrtare të liderëve botërorë në mbledhjen e së premtes dhe u injorua në masë të madhe. Ai më pas shpejt doli në skenë për të shtrënguar duart dhe për të folur me udhëheqësit e tjerë.
Rusia ka refuzuar të kritikojë Arabinë Saudite ose princin e kurorës për vrasjen. Putin tha në tetor se ai nuk kishte informacion në lidhje me këtë çështje, dhe shtoi se Rusia nuk do të shkatërronte marrëdhëniet e saj me Arabinë Saudite për këtë shkak.
Megjithatë, Moska ka nxitur gjithashtu lidhje të forta me armikun rajonal të Arabisë Saudite, Iranin. Rusia dhe Irani mbështetën Presidentin Bashar al-Assad në luftën civile të Sirisë, ndërsa Arabia Saudite, së bashku me vendet perëndimore, kanë mbështetur disa grupe rebele.
Putin dhe Princi Mohammed do të mbajnë bisedime dypalëshe të shtunën, sipas informacioneve të dala në rrugë zyrtare, nga Kremlini, ku vëmendja do të jetë te mbledhja e ardhshme e OPEC-ut. Riad ka sugjeruar që OPEC dhe aleatët e saj të reduktojnë prodhimin me 1 milion fuçi në ditë nga janari 2019 për të frenuar rënien e çmimeve.
Top Channel