Presidenti i Argjentinës: Çështja Khashoggi mund të diskutohet në Samitin e G20-ës

30/11/2018 02:06

Presidenti argjentinas Mauricio Macri tha të enjten se akuzat kundër Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman lidhur me krimet e luftës dhe vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi mund të diskutohen gjatë samitit të G20, i cili fillon të premten.

“Arabia Saudite është një anëtare e përhershme e G20-ës dhe si e tillë po përfaqësohet nga Princi i Kurorës, Muhamed bin Salman. Vrasja e gazetarit, por edhe krimet e luftës në Jemen, janë çështje të cilat kanë ndikuar në botë, ndaj janë në tryezë dhe mund të dalin në takimet bilaterale ose në agjendën e G20-ës”, tha Macri.

Presidenti i Argjentinës ishte duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili tha se do të ketë mundësinë për të diskutuar akuzat me princin saudit, kur të takohen gjatë samitit.

Macron tha se vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi ishte një çështje “shumë serioze”. “Unë besoj dhe shpresoj që hetimet, si në Turqi, edhe në Arabinë Saudite, do të vazhdojnë të sqarojnë situatën, si për të afërmit e zotit Khashoggi, ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare”, tha Macron.

Human Rights Watch (HRW) i kërkoi Argjentinës të hënën që të përdorte një klauzolë për krimet e luftës, në kushtetutën e saj, për të hetuar çdo përfshirje të princit të kurorës në krime të mundshme kundër njerëzimit në Jemen, ku Arabia Saudite ka nisur një fushatë ushtarake.

Grupi i të drejtave të njeriut gjithashtu i kërkoi Argjentinës të hetonte princin e kurorës saudite në lidhje me vrasjen e Khashoggit gjashtë javë më parë, gjë që ka shkaktuar furi ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA