Zbutet Seehofer. Sprapset në qëndrimet anti-islamike

29/11/2018 12:57

Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer bëri një kthesë 360 gradë të qëndrimit të tij. Njeriu që dikur thoshte se islami nuk është pjesë e Gjermanisë, tani pretendon të kundërtën: myslimanët, deklaroi ai në ditën e parë të konferencës së islamit atje, janë pjesë e këtij vendi.

Në deklaratat e fundit Seehofer sqaron se “myslimanët kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime si të gjithë qytetarët e tjerë të Gjermanisë”. “Nuk mund të ketë dyshime rreth kësaj çështjeje”, tha ai. Seehofer, i cili u la mënjanë si udhëheqës i Unionit Kristian Social (CSU) në Bavari, ngjalli debate gjatë muajit mars, kur deklaroi se “Islami nuk i përket Gjermanisë” dhe se “Gjermania është formëzuar nga Krishtërimi”.

Gjithsesi, nga sa kujton DW, edhe gjatë asaj interviste aq të lexuar të muajit mars dhënë për “Bild”, ai pati deklaruar se: “myslimanët që jetojnë këtu janë pjesë natyrale e Gjermanisë. Kjo, sigurisht që nuk nënkupton se ne do të heqim dorë nga traditat dhe zakonet e veçanta të vendit tonë kundrejt deklarimeve false”.

Këto komente nxitën kritika të ashpra ndaj Seehofer, dhe shumë menduan se deklaratat e fundit u bënë për të zbutur ato të mëparshmet. Konferenca Islame Gjermane, e cila për herë të parë u mbajt në vitin 2006 nga ish-ministri i Brendshëm Ëolfgang Schäuble, mbledh së bashku myslimanë gjermanë dhe zyrtarë të qeverive të landeve dhe të asaj federale. Qëllimi i saj është të përmirësojë pjesëmarrjen fetare dhe shoqërore të myslimanëve në Gjermani dhe të zhvillojë më tej dialogun mes përfaqësuesve shtetërore dhe organizatave Islamike.

Top Channel