Në Shkodër, qytetin e fundit të çliruar, sot nuk festohet. Debati se kur iku gjermani i fundit pasqyrohet në mungesën e axhendës për 29 nëntor dhe në faktin që kryetarja demokrate e bashkisë, Voltana Ademi, nderimet për dëshmorët i bëri një ditë më parë.

Data 29 nëntor nuk figuron as në zbukurimet e rrugëve të qytetit.

Por, sot është festë për Burhan Bushatin, 88-vjeçarin që thotë se është ndër të paktët dëshmitarë të natës së fundit kur është çliruar Shkodra, 28 nëntorit 1944. Debatet e tri dekadave të fundit nuk ia kanë zbehur kujtesën. Sipas tij, Shkodra është çliruar mëngjesin e 29 Nëntorit 1944.

“Gjermani i fundit që ka dalë ka qenë në orën 04:00 ose 05:00 nga Shkodra. Pra, Shkodra është çliruar në 29 Nëntor”, kujton Bushati.

Përfaqësuesit e organizatës LANÇ në Shkodër thonë se bashkia po shkel ligjin: “Këto janë festa zyrtare dhe autoritetet kanë detyrim për organizimin e aktiviteteve”.

Çarja e madhe për datën e çlirimit mes së majtës dhe së djathtës pasqyrohet çdo vit në ditën që përfaqësuesit e forcave politike zgjedhin për të nderuar dëshmorët e kombit kudo në Shqipëri.

Top Channel