Konflikti Ukrainë-Rusi. Poroshenko i kërkon ndihmë NATO-s. Merkel: Jo luftë

29/11/2018 15:47

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e përjashtoi kategorikisht mundësinë që kriza e Ukrainës të zgjidhet ushtarakisht.

Merkel ia faturoi ngërçin e krijuar presidentit rus Vladimir Putin, megjithatë shtoi ajo, “çështje të një ndjeshmërie të tillë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut”.

Reagimi i shefes se ekzekutivit gjerman erdhi pas kërkesës së kreut të shtetit ukrainas Petro Poroshenko që Nato-ja të dërgojë anijet e saj në Detin Azov. Vetë deklarata e tij kishte pasuar apelet e Francës drejtuar si Kievit, ashtu edhe Moskës për të treguar vetëpërmbajtje e për të mos e përshkallëzuar situatën mes tyre.

Ministri i jashtem francez, Jean Yves le Drian i bëri thirrje Rusisë të lirojë menjëherë  marinarët ukrainas, ndërsa Ukrainës të ulë tensionet në rajon. Kievi dhe aleatët e tij ndërkombëtarë këmbëngulin se Moska e ka bllokuar në mënyrë të paligjshme ngushticën Kerç dhe ka vepruar kundër ligjit ndërkombëtar duke grabitur anijet dhe marinarët.

Rusia pretendon se është në të drejtën e vet, dhe se anijet ukrainase kanë hyrë sipas saj, në mënyrë të paligjshme në ujërat ruse, një qëndrim i përsëritur edhe nga Lavrovi. Ukrainës duhet t’i thuhet “të mos luajë me zjarrin’, u shpreh ai. Rusia konsideron se me vendimin për të futur në fuqi ligjin e luftës, Kievi mund të çojë në acarim të tensioneve në Ukrainën lindore. Pretendimet e saj janë se presidenti ukrainas Petro Poroshenko, me këtë lëvizje të tij, thjesht po përpiqet të fitojë popullaritet pasi nuk gëzon mbështetje ndërkohë që afrojnë zgjedhjet e marsit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA