Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko i kërkoi NATO-s të dërgojë anijet e saj në Detin Azov pas incidentit me Rusinë në ujrat pranë Krimesë.
Ai i tha gazetës gjermane “Bild” se shpreson që anijet të mund të nisen për t’i ardhur në ndihmë vendit të vet e për të garantuar sigurinë e tij. Pohimi i Poroshenkos erdhi pak pasi Franca i kërkoi si Ukrainës, ashtu edhe Rusisë, të tregojnë përmbajtje e të mos e përshkallëzojnë situatën mes tyre.
Ministri i Jashtëm francez, Jean Yves le Drian i bëri komentet gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun rus Sergei Lavrov. Kryediplomati francez i ka kërkuar Rusisë që të lirojë marinarët ukrainas, ndërsa Kievit që të ulë tensionet në rajon.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë thonë se Rusia e ka bllokuar në mënyrë të paligjshme ngushticën Kerç dhe ka vepruar kundër ligjit ndërkombëtar, duke grabitur anijet dhe marinarët. Moska pretendon se është në të drejtën e vet dhe se anijet ukrainase kanë hyrë, sipas saj, në mënyrë të paligjshme në ujrat ruse, një qëndrim i përsëritur edhe nga Lavrovi.
“Ukrainës duhet t’i thuhet të mos luajë me zjarrin”, u shpreh ai. Rusia konsideron se me vendimin për të futur në fuqi ligjin e luftës, Kievi mund të çojë në acarim të tensioneve në Ukrainën lindore. Pretendimet e saj janë se Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, me këtë lëvizje të tij, thjesht po përpiqet të fitojë popullaritet pasi nuk gëzon mbështetje, ndërkohë që afrojnë zgjedhjet e marsit.
Top Channel