Legalizimi i ndërtimeve pa leje, përfshirë marrjen e pronësisë së truallit, do të funksionojë sipas parimit të dritares unike.

Ndryshe nga tani, ku ky proces kalon në 3 institucione shtetërore, si ALUIZNI, Hipoteka dhe Agjencia e Pronave, një ligj i ri që qeveria ka dërguar në Parlament ia transferon të gjitha këto kompetenca Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Do të jetë ky institucion, që evidenton ndërtimin pa leje, administron dokumentacionin e kërkuar, si dhe kryen procedurën e legalizimit brenda një periudhe dymujore.

Me miratimin e legalizimit, pronari i ndërtimit bëhet automatikisht pronar edhe i truallit, i cili si rregull nuk mund të jetë më i madh se 500 metra katrorë, përveç rasteve të veçanta si ndërtimet me funksion social-ekonomik, ku trualli që kalohet në pronësi mund të jetë deri në trefishin e sipërfaqes së ndërtuar.

Por, ky parim vlen vetëm për tokën shtetërore. Ata që kanë ndërtuar mbi tokë të zënë, e cila u përket të tretëve, do të marrin në pronësi truallin vetëm pasi të ketë hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për kompensimin e pronarëve të tokës. Deri në atë moment, ndërtimi i legalizuar regjistrohet pa marrëdhënie me truallin.

Sipas ligjit, procesi i legalizimeve nuk do të ndërpritet në asnjë rast, edhe atëherë kur ka konflikt pronësie për tokën mbi të cilën është ndërtuar objekti. Agjencia e Kadastrës e legalizon ndërtimin, ndërkohë që qeveria ngrin në një llogari të veçantë kompensimin e pronarëve. Pas zgjidhjes së konfliktit të pronësisë në gjykatë, kompensimi i kalon automatikisht individit që njihet si pronar nga gjykata.

Sipas qeverisë, drafti i ri do të zgjidhë përfundimisht ngërçin e ndërtimeve pa leje. Por në çdo rast, ndërtimet që shtrihen mbi veprat e infrastrukturës publike, rrugët kryesore dhe monumentet e kulturës, nuk do të legalizohen. Sipas ligjit, ato do të prishen ndërsa banorët trajtohen nga bashkitë me programet sociale të strehimit.

Top Channel