Ish-avokati i presidentit amerikan, Donald Trump, Michael Cohen është vetëshpallur fajtor se ka gënjyer Kongresin në lidhje me hetimin që ka të bëjë me ndërhyrjen ruse në zgjedhje.
Cohen, 52 vjeç, pranoi në gjykatë se kishte keqinformuar ligjvënësit mbi projektin e pasurive të patundshme të Trumpit në Moskë. Ai u shfaq krejt papritur në një gjykatë federale në Manhattan, gjatë mëngjesit të kësaj të enjteje.
Në gusht, Cohen pranoi fajësinë edhe për shkeljen e ligjeve financiare gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, duke paguar të holla në këmbim të heshtjes së ish-të dashurave të pretenduara të Trumpit.
Zhvillimi i kësaj të enjteje është kthesa e fundit e ndodhur në hetimin e kryesuar nga këshilltari special i Departamentit të Drejtësisë, Robert Mueller, mbi faktin nëse Trump dhe rrethi i tij i ngushtë i bashkëpunëtorëve kanë bashkëpunuar me Rusinë, në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për t’u nisur drejt Buenos Airesit për samitin e G20-s, Trump u tha reporterëve se Cohen ishte “një person i dobët dhe aspak i zgjuar”, i cili po “gënjente” me synimin për të reduktuar dënimin e tij.
Cohen pranoi fajësinë në gjykatë, për një vepër penale që ka të bëjë me dhënien e një deklarimi të rremë përpara Kongresit, në hetimin e këtij të fundit mbi faktin nëse drejtuesit e fushatës së Trumpit kanë punuar me Rusinë për të diktuar rezultatin e zgjedhjeve të dy viteve më parë në SHBA.
Top Channel