Homazhet për Ditën e Çlirimit. Meta, Ruçi e Rama te “Nëna Shqipëri”; Komunistët: Poshtë qeveria neoballiste e Ramës

29/11/2018 14:22

Krerët më të lartë të shtetit ishin bashkë për nderuar të rënët e luftës nacionalçlirimtare. Njëri pas tjetrit, Presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri vendosën kurora me lule pranë memorialit “Nëna Shqipëri”.

Ilir Meta dhe Edi Rama shmangën fjalimet, ashtu si një ditë më parë në Vlorë, por pas ceremonisë, mes tyre mungoi përshëndetja, ndryshe nga sa bëri Kreu i Shtetit me Kreun e Kuvendit.

Dëshmorët e atdheut i nderoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ndonëse e rreshtuar djathtas në Parlament, Monika Kryemadhi respektoi të rënët në 29 nëntor.

Edhe këtë vit nuk munguan komunistët. Garda kishte marrë masat që t’i mbante larg ceremonisë shtetërore idhtarët e Enver Hoxhës. Pasi të gjithë u larguan, me fotot e udhëheqësit të tyre në duar ata akuzuan Edi Ramën për kthimin e eshtrave të Midthat Frashërit.

“Poshtë qeveria neoballiste e Edi Ramës”, thanë ata.

Të rënët e luftës së LANÇ i nderuan edhe ambasadorët e akredituar në vendin tonë, por për ta nuk qëndroi asnjë zyrtar i lartë për t’i shoqëruar.

Top Channel