I ftuar në studion e emisionit “Open” të moderatores Eni Vasili, historiani Paskal Milo është shprehur se nuk dëshiron të flasë dhe të debatojë politikisht, por bazuar mbi historinë. 29 Nëntori sipas tij duhet parë thjesht dhe vetëm si përvjetor i Çlirimit të Shqipërisë para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Nëse flasim mbi baza historike, e për të qëndruar në temën e diskutimit të emisionit të sotëm, unë them se 29 Nëntori duhet diskutohet si datë e Çlirimit, pasi këtë e ka votuar Parlamenti i Shqipërisë. Nëse doni që të diskutoni politikisht, për të shtjelluar historinë e komunizmit në Shqipëri, pra atë që erdhi pas kësaj date të shënuar, atëherë duhet një temë tjetër”, tha Paskal Milo.

Të njëjtin mesazh dha edhe historiani Luan Malltezi. Sipas tij, historia ka kaluar në politikë, duke shkaktuar tension të jashtëzakonshëm dhe të panevojshëm. “Ky është një problem historie dhe duhet diskutuar mbi fakte e dokumente, por s’kemi ardhur sot të bëjmë debat për historinë komuniste”, tha Malltezi.

Ndërsa Auron Tare, duke theksuar se vuajtjet kanë qenë të ngjashme edhe për qytete të tjera, kërkoi të përjashtonte Shkodrën si “tepër të ndjeshme” në këtë debat.

“Data, 27, 28 apo 29 mund të ishte cilado, por dua të them se 29 Nëntori nuk shënoi ardhjen e komunizmit. Data duhet të shihet thjesht si dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Kjo datë është thjesht një simbol që u nevojitej shqiptarëve për të festuar largimin e trupave gjermane”, tha Tare, i cili gjeti në këtë pikë kundërshtimin e Voltana Ademit, që e quajti këtë moment si “fillimin e një pushtimi të dytë”.

Historiani Milo ndërhyri sërish, duke sjellë në vëmendje edhe dokumentet gjermane, në të cilat thuhet se “jemi larguar në datën 29 nga Shqipëria”. Ndaj për këtë arsye, Shqipëria sipas tij ka pikërisht këtë datë për të festuar Çlirimin.

“Juve vazhdoni t’i bini fyellit në një vrimë. Ky është debati më i kotë që ekziston, e madje është bërë që nga viti 1992 vetëm e vetëm për t’u shfrytëzuar politikisht”, tha Paskal Milo, duke iu referuar krahut politik të kryebashkiakes Ademi.

Top Channel