Si peshkatarë të humbur janë raportuar nga Policia e Vlorës edhe zhdukja e Leonard Senkajt dhe shokut të tij Taulant Çerenishtit, edhe pse vetë familja e Senkajt e pranojnë se ishin të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Ferzilete Senkaj tregon se i biri kishte kryer 4 vjet burg në Leçe pasi ishte arrestuar në tentative për trafikimin e lëndëve narkotike në brigjet italiane.

“Atëherë iku, po në të njëjtën datë që është zhdukur që u kap nga policia, por në atë kohë na lajmëroj. Për herën e dytë ne nuk dimë gjë”, tha për Top Storyn nëna Ferzilete.

Leonard Senkaj u zhduk pa gjurmë më 27 dhjetor 2015.

“Data 27 ka qenë një fortunë këtu në det, mbi 8 ballë, një natë e zezë”, thotë nëna, – Në komisariatin e policisë ka mësuar se Leonardi ishte nisur sëbashku për udhë sëbashku me një shokun e tij, Taulantin. Kemi qenë në polici, me datë 30 kemi bërë ne denoncimin, për të njëjtën hall ishte dhe ajo, denonconte ajo për djalin dhe unë për djalin”, thotë nëna.

Gruaja 63 vjeçare iu drejtua policisë pasi shokët e të birit e këshilluan të denonconte zhdukjen e Leonardit.

“Një person që ne nuk e njohëm fare, na ka sjell këtu çantën dhe telefonin e tij. Atë e pyetëm se kush je ti, porn a tha se nuk dim asgjë për të, nuk foli”, tha nëna.

Gjetjen e trupit të djalit të saj apo hetimin e ngjarjes është gjithë sa kërkon familja Senkaj. Ka bindjen se deri më tani organet ligjzbatuese nuk janë përpjekur për zbardhjen e implikimit të djalit të saj.

“Ne nuk kemi asnjëlloj përgjigjje nga prokuroria, policia, na thonë që jemi vetëm në kërkim, ndërsa prokuroria fare, është mbyllur çështja. Unë si prind, si nëna e tij, kërkoj që kush di ndonjë të dhënë, ju lutem të na lajmërojnë, të na thonë ndonjë të vërtetë, çoftë e keqe apo e mirë, e mirëpresim lajmin”, tha nëna.

Vdekja është gjithë sa gjeti Leonardi nga përfshirja në trafikimin e lëndëve narkotike në brigjet italiane.

Gruaja 61 vjeçare rrëfen se pensioni që marrin janë të ardhurat e vetme që mbijeton familja.

“Ai ka pritur qindarkat e babait, nuk ka sjell lekë ai. Ky i shkreti punonte në dy punë, merrte 600 mijë lekë, 300 i hanim dhe 300 bëmë shtëpinë”, tha nëna.

Zhdukja e të birit nuk është gjëma e vetme që i ka rënë mbi krye Fezileta Senkajt.

Bashkëshortja e Leonardit është lodhur duke pritur. Ka marrë dy fëmijët e ka emigruar në Greqi. Ferziletja ka muaj që nuk i dëgjon zërin e fëmijëve që rriti e që ishin gëzimi i vetëm i jetës së saj.

“Kjo qe një dhimbje për së dyti, ikja e fëmijëve ishte dhimbje, u përsërit prapë kjo dhimbje, kërkoj vetëm të flas me to në telefon”, tha nëna.

Freziletja rron me shpresën se i biri është gjallë dhe zëra nuk guxon të hapë dyert e mortit.

“Zemra e nënës dhe babait nuk e thotë dot kurrë nuk e do dot kurrë. Ne nuk dimë asgjë, jemi të dorëzuar, a është në burg, a është i vrarë, nuk dimë asgjë. duam një përgjigje nga shteti, ta dimë çfarë ka ndodhur me të, o të di të ulëras ose të qesh, vetëm ta di”, thotë nëna.

Top Channel