Zhaneta Lumani nga Elbasani ankohet në Fiks Fare se ngjitur me shtëpinë saj, gjatë viteve të fundit një fqinj ka ndërtuar një objekt pa leje duke i dëmtuar pronën. Përveç kësaj ai ka zaptuar edhe një hapësirë publike që ka funksionuar si rrugë mes pallateve.

Lidhur me këtë problem Zhaneta tregon se ka kaluar një sërë sorollatjesh nga njëri institucion në tjetrin, konkretisht nga Bashkia Elbasan, IMT e tek ALUIZNI. E lodhur nga këto orvatje dhe e pashpresë për një zgjidhje nga institucionet, zonja i drejtohet Fiksit si e vetmja mundësi për të vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse.

Nga korrespondenca midis institucionaleve zonjës i thuhet se për objektin në fjalë ka një aplikim për legalizim, por ALUIZNI nuk i konfirmon IMT-së nëse objekti do t’i nënshtrohet procesit të legalizimit ose jo. Në 22.06.2018 IMT dërgon shkresën e fundit në drejtim të ALUIZNI-t, ku kërkohet specifikimi nëse objekti do të legalizohet ose jo dhe nëse ky objekt rezulton të jetë ndërtuar përpara apo pas datës 27.06.2014 sipas ortofotove.

Pasi ALUIZNI merr për trajtim dhe legalizim vetëm objektet e ndërtuara përpara qershorit të vitit 2014. Kjo shkresë ende ka mbetur pa përgjigje, sipas IMT-së çka pengon për prishjen e objektit në fjalë.

Por ALUIZNI nga ana tjetër i kthen përgjigje zonjës Lumani në tetor të këtij viti, ku i thuhet se për atë objekt që ankohet zonja ka një aplikim për legalizim, por që nuk i plotëson kushtet për t’ju nënshtruar procesit të legalizimit.

Pra ALUIZNI është shprehur kundrejt objektit, por jo institucionit të IMT-së që pret nga qershori për këtë shkresë. Fillimisht Zhaneta i drejtohet Inspektoratit të Mbrojtjes së Mjedisit Elbasan. Drejtori i IMT-së, Leli Kaja i pohon zonjës Lumani se ende institucioni që ai drejton nuk ka marrë një përgjigje nga ALUIZNI.

Edhe pse zonja Lumani tregon përgjigjen që ka marrë ajo nga ALUIZNI, drejtori Kaja shprehet se është e pamjaftueshme ajo çka është shkruar. Sqarimi i tij është se nëse objekti nuk do të shqyrtohet për legalizim duhet që ALUIZNI të shpreh skualifikimin e dosjes nga procesi i legalizimit.

Kaja i thotë zonjës Lumani se në momentin e parë që ALUIZNI shprehet duke i konfirmuar çka po i kërkon ai do të realizojë shembjen e objektit. Vetëm me përgjigjen që i është kthyer zonjës nga ALUIZNI ai nuk mund të ndërmarrë asnjë masë sepse nuk është e ligjshme.

Në këto kushte Zhaneta i drejtohet edhe ALUIZNI-t Elbasan, ku në bisedë me juristen e institucionit i kërkon që ALUIZNI t’i nisë një përgjigje të plotë dhe të detajuar IMT-së, që më pas të ndërhyjë. Juristja shprehet se ALUIZNI nuk mund të shprehet me skualifikim të një objekti që nuk është në proces legalizimi. Ajo insiston se objekti nuk është në proces legalizimi dhe sipas saj IMT Elbasan e ka këtë informacion. Pra në të dy institucionet ALUIZNI dhe IMT, ankuesen e përcollën duke ia hedhur fajin njëra tjetrës.

Gazetarët e Fiksit duke parë sorollatjet e qytetares iu drejtuan vetë këtyre dy institucioneve, fillimisht IMT-së e më pas ALUIZNIT-t.

Në intervistën e tij drejtori Kaja konfirmon komunikimin zyrtarë me ALUIZNI-n, por që ende IMT nuk ka marrë një përgjigje përfundimtarë. Ai zotohet se nëse nga ALUIZNI vjen një konfirmim që objekti nuk do të legalizohet, ose nëse objekti është ndërtuar pas qershorit 2014 ai do të veprojë konform ligjit duke njoftuar ndërtuesit për prishje të vullnetshme,në rast të kundërt do të ndërhyhet me prishjen e objektit nga IMT .

Kurse në përgjigjen e ALUIZNI-t drejtuar Fiks Fare ,shkruhet se ndërtimi informal i qytetarit nuk mund t’i nënshtrohet kritereve kualifikuese për t’u legalizuar, pasi ky objekt është ndërtuar pas datës që përcakton ligji. Pra sipas kësaj përgjigje objekti duhet të prishet. Ketë përgjigje që IMT Elbasan ka 4 muaj që e pret nga ALUIZNI, Fiks Fare e mori për një ditë.

Top Channel