Në tregjet kryesore të kryeqytetit ende nuk ka nisur tregtimi i fishekzjarreve. Por, me afrimin e festave të fundvitit dhe duke nisur që nga java e ardhshme, autoritetet thonë se nuk do lejojnë shitjen e asnjë mjeti piroteknik që përbën rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Kapsollat që janë shitur vitet e fundit në Shqipëri konsiderohen të rrezikshme për shkak të përmbajtjes së lartë të barutit dhe fuqisë shpërthyese. Ndonëse këto ditë nuk shiten në masë, ato tregtoheshin në dy dyqane në shkelje me kriteret dhe kushtet që parashikon ligji, ndaj dhe u sekuestruan nga Policia e Tiranës, ndërsa pronarët e tyre u kallzuan në prokurori.

Edhe nga eksperimentet që policia zhvilloi me to, rezultoi se janë të afta të dëmtojnë edhe materiale të forta si metali.

Ekspertët zjarrfikës thonë se në duart e qytetarëve janë tejet të rrezikshme: “Ne presim urdhrat dhe në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit do i bllokojmë këto lëndë të rrezikshme. Këto mjete piroteknike duhet të përdoren vetëm nga pushteti lokal, bashkitë që organizojnë festat dhe jo nga qytetarët, pasi në të kaluarën kanë shkaktuar edhe dëmtime”.

Ministria e Brendshme paralajmëroi vendosjen e një regjimi të ri kontrolli për lëndët plasëse, ato shpërthyese dhe për mjetet piroteknike. Situata aktuale ku njerëzit kanë akses lirshëm në blerjen e mjeteve piroteknike ka bërë që qeveria të tërhiqet edhe nga propozimi i bërë në paketën fiskale për heqjen e akcizës për fishekzjarret.

Në miratimin nen për nen që iu bë paketës fiskale në Komisionin e Ekonomisë, ky propozim u rrëzua nga deputetët e mazhorancës me miratimin e Ministrisë së Financave.

Top Channel