Gjashtë në 10 vende kufizojnë në mënyrë serioze liritë e njerëzve, sipas një raporti të ri që paralajmëron për një rritje të represionit në të gjithë globin.
Sipas studimit, ka pak ose aspak hapësirë për aktivizmin në vende si Eritrea apo Siria, ndërsa ka shenja shqetësuese në vende ku demokracia konsiderohet e fortë, siç janë Franca, SHBA, Hungaria dhe India.
Raporti i “Civicus Monitor”, një aleancë grupesh të të drejtave civile, del në përfundimin se të drejta themelore si liria e shprehjes dhe e tubimeve paqësore janë nën sulm në 111 nga 196 shtete të botës.
Vendet po ashtu po miratojnë ligje represive dhe po përdorin teknologjitë e reja për të kontrolluar debatin publik. Në Kinë, censura ka arritur nivele të paprecedenta nën drejtimin e Xi Jinping.
“Masa të tilla janë vetëm maja e ajsbergut, me shtetet që gjithnjë e më shumë po rikthehen te presioni dhe dhuna. Sulmet mbi gazetarët apo rrahjet e protestuesve janë më të shpeshta”, tha Cathal Gilbert, kërkues.
Mes vendeve që shihen me shqetësim janë Republika Demokratike e Kongos dhe Guatemala. Raporti ngre alarmin për ligje represive në Bangladesh dhe Francë, ndërsa në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite identifikohet si një vend shqetësues me arrestime të krerëve fetarë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.
Në shkallë globale, aktivistet femra merren më shumë në shënjestër, sipas “Civicus”.
Top Channel