SHBA për Brexit: Ujdia me BE-në kërcënon tregtinë

27/11/2018 09:31

Donald Trump la të kuptohet se ujdia e Brexit-it që arriti Theresa May mund të kërcënojë një marrëveshje tregtare SHBA-Mbretëri e Bashkuar.

Për Presidentin amerikan, pakti i tërheqjes së Londrës “tingëllon si një arritje goxha e madhe për BE-në dhe nënkupton se Britania mund të mos jetë në gjendje të tregtojë me Shtetet e Bashkuara. Doëning Street këmbëngul se Mbretëria e Bashkuar do të jetë në gjendje në vazhdimësi që të bëjë marrëveshje tregtare me vendet anembanë botës. Por, Trump nuk e sheh kështu.

“Nëse do t’i hidhnit një sy tani tekstit të marrëveshjes, do të shikoni se Britania e Madhe mund të mos jetë në gjendje të bëjë tregti me ne. Dhe kjo nuk do të ishte aspak gjë e mirë. Nuk besoj se kanë pasur këtë në mend”, deklaroi Trump.

Duket se Trump po sugjeronte se marrëveshja mund ta linte Britaninë të paaftë për të negociuar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, duke iu përgjigjur komenteve të shefit të Shtëpisë së Bardhë, një zëdhënës i Doëning Street tha se Londra është duke i shtruar aktualisht rrugën një ujdie ambicioze me Shtetet e Bashkuara përmes grupeve të punës që deri tani janë takuar, sipas tij, 5 herë.

Komentet erdhën pasi May u përball të hënën me kritika të ashpra ndaj marrëveshjes së saj të Brexit-it nga deputetë të të gjitha krahëve në Dhomën e Komuneve e u përpoq të argumentonte se marrëveshja do të ndihmonte të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për të rifituar kontrollin e ligjeve, parave dhe kufijve.

Top Channel