Gjatë ceremonisë të mbajtur para memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës, që ndodhet pranë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përshëndeti trupat e policisë dhe tregoi se pse zgjodhi rrugën për të hyrë në zyrë si ministër i Brendshëm.

Lleshaj u shpreh se nderimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, është një detyrim i përhershëm për këdo. Në fillim të ceremonisë ministri Lleshaj vuri një kurorë me lule pranë memorialit të policëve të rënë në detyrë dhe më pas mbajti fjalën e rastit.

“Dëshiroj të shpreh bindjen time se nderimi ndaj heronjve të Policisë shqiptare është mënyra më e përshtatshme për të vlerësuar dhe nderuar edhe angazhimin dhe kontributin e gjithë punonjësve të saj, që me përgjegjësi dhe përkushtim, ofrojnë përditë e përnatë rendin, qetësinë dhe sigurinë publike për qytetarët e vendit tonë.

Policia e Shtetit është organizata që në vitet e demokracisë ka mbajtur barrë të jashtëzakonshme dhe që ka paguar një çmim shumë të rëndë, përballë të cilit çdo shqiptar duhet të tregojë respekt të lartë.

Por më së pari, përballë kësaj sakrifice kërkohet që të përulet vetë Policia e Shtetit dhe çdo pjesëtar i saj. Profesioni i policit është i bazuar tek nderi, sensi i detyrës dhe integriteti. Një sens i fortë dhe i qartë për nderin personal dhe nderin profesional për punonjësin e policisë janë pjesë thelbësore e identitetit, pjesë e ADN-së së tij. Vetëm këtë mesazh dua të theksoj sot gjatë kësaj ceremonie. Për programin tim, do të kemi kohë që të diskutojmë së shpejti”, tha ai.

Top Channel