I gjithë Qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të dendura shiu që prej 48 orësh.

Bashkë me reshjet po shfaqen edhe problemet e para me bllokimin e aksit përballë Gjirokastrës, urës së Viroit dhe lagjet që patën probleme me rrëshqitjet vitin e kaluar.

Shumë zona vijojnë të gjenden prej orësh pa energji elektrike. Probleme raportuan zona e Sukës, Ballabanit dhe Çarshovës në Përmet. Pa energji prej dy ditësh vijojnë të jenë zona e Buzit, Luftinjës, Lopësit dhe disa njësi të tjera në Tepelenë e Memaliaj.

Problemet vazhdojnë të jenë shqetësuese për zona të tilla si Dropulli i Sipërm, ku disa fshatra ende e kanë të ndërprerë komunikimin, por edhe në njësitë Antigone dhe Cepo ku problemet e shkaktuara nga reshjet e viteve të kaluara po mbarten.

Ndërkohë, ende mbetet e bllokuar rruga Levan-Tepelenë, e cila duhet të mirëmbahej nga firma “Salillari”, por ku pak ditë më parë doli jashtë funksioni pasi ranë gurë nga mali. Kalimi është devijuar nga rruga e Ballshit.

Top Channel