SHBA dhe aleatët kritikojnë Rusinë për incidentin me anijet ukrainase

26/11/2018 18:52

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Moskën për “provokim” në lidhje me rastin e rrëmbimit të 3 anijeve të Marinës ukrainase dhe ekuipazheve të tyre, nën presionin e të shtënave në rajonin e diskutueshëm të detit të Zi, në atë që rezulton incidenti më serioz detar mes fqinjëve në “hasmëri” që prej aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Nikki Haley, ambasadorja në largim e Amerikës në OKB, shfrytëzoi një takim emergjent të Këshillit të Sigurimit këtë të hënë, për të akuzuar Rusinë për incidentin e së dielës në ngushticën Kerch, e tha se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë mbështetjen ndaj integritetit territorial të Kievit.

“Ne mbështesim fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës sipas kufijve të njohura ndërkombëtarisht, përfshi këtu edhe ujërat territorialë të saj. Shpresim shqetësimin tonë të thellë për incidentin në fjlë, që përfaqëson një përshkallëzim të rrezikshëm dhe dhunim të ligjit ndërkombëtar”, tha Haley.

Ajo shtoi se deklarata që po bënte ishte gjithashtu në emër të Britanisë së Madhe, Francës, Holandës, Polonisë dhe Suedisë. Haley tha se kishte folur me presidentin amerikan, Donald Trump, e sqaroi se deklarata reflektonte pikëpamjet e “niveleve më të larta”. Megjithatë, as Trump, as Shtëpia e Bardhë dhe as Departamenti i Shtetit nuk kanë dhënë deklarata mbi këtë incident.

Deklarata e Haleyt vjen teksa Parlamenti ukrainas debatoi nëse do të mbështeste thirrjen e presidentit Petro Poroshenko për një periudhë 30-ditore të “ligjit ushtarak” pas përplasjes në det të hapur, gjatë së cilës anijet ruse hapën zjarr ndaj atyre ukrainase dhe plagosën disa prej anëtarëve të ekuipazhit, përpara se t’i ndalonin ata.

Moska tha se forcat detare ruse ishin provokuar dhe i rrëmbyen anijet ukrainase vetëm pasi ato kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në ujërat territorialë të saj, shumë pranë pikës së përbashkët të kontrollit detar. Moska paralajmëroi Kievin dhe partnerët e tij të mos nxisin tensione të mëtejshme.

“Do të donim të paralajmëronim palën ukrainase se, linja e ndjekur nga Kievi në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, për të provokuar një konflikt me Rusinë në ujërat e detit Azov dhe detit të Zi, është i mbushur plot me pasoja serioze”, shkruante Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë. “Federata Ruse do të ndalë me vendosmëri çdo cënim të sovranitetit dhe sigurisë së saj”.

Rusia thirri madje të ngarkuarin e përkohshëm me punë të Ukrainës në Moskë, pasditen e së hënës, për ta informuar se “e gjithë përgjegjësia për zhvillimet me gjasë negative të një konflikti…bie mbi Ukrainën”.

Top Channel