Daniel Dobraj, 18-vjeçari i akuzuar se ditën e protestës plagosi efektiven e forcave “Shqiponja” Ina Nuka me kapsollë ka dalë sot në gjyq për masën e sigurisë. Burg pa afat ka qenë masa e sigurisë të vendosur nga trupa gjykuese, teksa avokati mbrojtës në përfundim të gjyqit u shpreh se Dobraji shoqëruar nga i ati ishte nisur drejt policisë për t’u dorëzuara, para se të arrestohej.
Menjëherë pasi gjykata e la në burg Drobajn, për mediat foli avokati i tij, i cili tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë që të faktojë plagosjen e efektives nga i riu.
I pyetur nga gazetarët, nëse ka pamje filmike që vërtetojnë se Drobaj hodhi kapsollën që lëndoi efektiven e “Shqiponjave”, avokati tha se diçka e tillë nuk ekziston.
“Prokuroria nuk ka asnjë provë që klienti im ka hedhur kapsollin drejt efektives së policisë. Ai ka pranuar, se ka pasur kapsolla dhe i ka hedhur ato drejt llamarinave të Namazgjasë. Në lidhje me kundërshtimin e forcave të policisë, klienti ka dalë në mbrojtje të banesës së tij, nuk ka dhunë ndaj policisë. Ai nuk ka pranuar ta shoqërojnë me makinën e policisë. Paraqita para Gjykatës kërkesat e familjarëve të tij. Ka qenë një çështje minutash ku i ati e ka nxjerrë nga banesa për ta dorëzuar”, tha avokati i 18-vjeçarit.
Ndërkohë njësoj si i riu edhe avokati akuzoi policinë se ka dhunuar klientin e tij.
“Është ushtruar dhunë sipas tij me të gjitha mënyrat, me sharje nga më rrugaçet e deri te goditjet me grushta”, u shpreh ai.
Top Channel