Një shqiptar është gjetur i pajetë në Greqi. Janë mediat greke ato që njoftojnë se 63 vjeçari me banim në Korfuz është gjetur i vrarë me armë zjarri mëngjesin e sotëm.
Trupi i viktimës është gjetur i pajetë në një kanal në zonën Spartera, nga një shofer që po kalonte në rrugë, i cili ka njoftuar policinë në Lefkimi.
Policia dyshon se viktima është qëlluar me armë gjahu nga një distancë e afërt, ndërsa ai ishte denoncuar i zhdukur nga familja të dielën në mëngjes.
Çështja po hetohet nga Drejtoria e Policisë së Korfuzit, ndërsa mjekësia ligjore do të japë rezultat e ekzaminimit të trupit të viktimës.
Ndërkohë kujtojmë se pas trafikantit Altin Mullai, të vrarë nga policia helene në Janinë, një 35-vjeçari të gjetur pa jetë në burgun e Trikalas dhe një 38-vjeçari që ndërroi jetë në aksident në Lamia, 63-vjeçari në Korfuz bëhet shqiptari i 4-të që vdes në territorin grek në harkun kohor të një jave.
Top Channel