Pas incidenteve të rënda të regjistruara mbrëmjen e djeshme, kur u sulmua autobusi i Boca Juniors duke shkuar për në stadium dhe u plagosën disa prej lojtarëve, finalja e dytë e Kupës Libertadores River-Boca nuk do të luhet as mbrëmjen e sotme.

Pasi u shty tre herë radhazi mbrëmjen e djeshme, fillimisht me 60 minuta, më pas me 135 minuta dhe në fund me 24 orë, CONMEBOL vendosi përfundimisht që takimi të shtyhet për një datë të pacaktuar. Kjo pasi skuadra e Boca Juniors kërkoi që të mos luhej sonte, por të shtyhej për një moment të dytë, ose t’u jepet fitorja në tavolinë, e parashikuar edhe në artikullin 18 të rregullores së CONMEBOL.

“Ne kemi dorëzuar një kërkesë zyrtare pranë CONMEBOL, ku kemi shprehur gatishmërinë që sfida të luhet në një moment tjetër dhe në kushte të barabarta, pasi tani që flasim lojtarët tanë janë të shokuar për atë që ndodhi dhe disa edhe janë plagosur. Nëse nuk shtyhet, atëherë sipas nenit 18 të rregullores së CONMEBOL për raste të tilla, të na jepet fitorja 3-0 në tavolinë”, ka thënë presidenti i Boca Juniors.

Rreth pasdites, institucioni drejtues i futbollit në Amerikën e Jugut, CONMEBOL u mblodh dhe vendosi që takimi të mos fillojë sonte në orën 21:00, por të shtyhet për një datë që mbetet të përcaktohet më vonë.

Gjithashtu u njoftua se të martën në orën 10:00, CONMEBOL do të mbajë një mbledhje me drejtuesit e të dy klubeve, për të vendosur edhe datën kur do të luhet finalja e dytë, ndërsa mediat argjentinase shtrojnë si opsion të mundshëm datën 8 Dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA