Partia Demokratike ka përzgjedhur këtë fundjavë kryetarët e degëve lokale në disa prej qyteteve kryesore në vend.

Në krye të disa prej degëve kryesore në të gjithë vendin janë rikonfirmuar kryetarët aktualë, ndërkohë që procesi do të vijojë gjatë ditës së sotme dhe fundjavën e ardhshme.

Në zgjedhjet e zhvilluara për kreun e PD-së në Durrës, fitues ka dalë ish-ministri demokrat, Ferdinand Xhaferaj. Prej disa muajsh, Xhaferaj qëndronte në krye të kësaj dege si i komanduar nga Lulzim Basha, ndërkohë që pas zgjedhjeve të zhvilluara këtë të premte Xhaferaj është mandatuar për një mandat 4-vjeçar.

Edhe deputeti i PD-së në Fier, Luan Baçi, është rizgjedhur në krye të degës në këtë qytet. Baçi ka deklaruar se do të vijojë të drejtojë degën e PD-së në Fier, pavarësisht faktit se ka mandatin e deputetit, duke theksuar se rezultatet e zgjedhjeve të fundit, pavarësisht manipulimeve, kanë sjellë rezultate të kënaqshme.

Një mandat të ri në krye të PD-së në Kamzë ka marrë edhe kryebashkiaku demokrat i Kamzës, Xhelal Mziu. Në kuadër të riorganizimit të PD-së, Basha thirri javën e kaluar grupin parlamentar dhe më pas firmosi urdhrin për strukturat, ku kërkoi që në periudhën mes 23 nëntorit dhe 2 dhjetorit të zgjidhen drejtuesit lokalë të PD-së në rrethe.

Javën e ardhshme do të zgjidhen kryetarët në disa degë kryesore të vendit, përfshirë edhe krerët e degëve në Tiranë.

ZGJDHJET E PD NE RRETHE:
Durrës – Ferdinand Xhaferaj
Fier – Luan Baçi
Dibër – Naim Gazidede
Sarandë – Hariz Mema
Kamzë – Xhelal Mziu
Malësi e Madhe – Anton Kokaj
Librazhd – Bujar Vreto
Maliq – Donald Kulla
Belsh – Bedri Qypi
Devoll – Arben Miza
Këlcyrë – Luan Malko
Shijak – Rezart Tusha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA