Nuk ka fitues në “Olimpico”, me Lazion dhe Milanin që ndajnë pikët në një barazim 1-1 dhe ruajnë të njëjtat pozita në tabelën e renditjes, përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë.

Spektakël, gola, grintë dhe gjithçka të bukur kishte sfida e kësaj pasditeje në kryeqytetin italian, ndërsa në fund barazimi kënaqi më shumë vendasit, edhe pse Milani u prezantua në Romë me shumë mungesa.

Lazio kishte kontrollin e lojës për pjesën më të madhe të kohës dhe i shkoi disa herë pranë golit të avantazhit, ndërsa skuadra e Gattusos kundërsulmonte rrezikshëm. Donnarumma ndali disa herë bardhekaltrit e Inzaghit, ndërsa në një zbritje të shpejtë të Milanit në minutën e 78’, gjuajtja e Kessie u devijua nga Wallace dhe përfundoi në rrjetën e portës së Strakoshës.

Gjithsesi, Lazio nuk mund të pajtohej me humbjen dhe u hodh e tëra në sulm, në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Gattuso, i detyruar nga mungesat e shumta, nuk e pa të udhës të shfrytëzojë asnjë prej zëvendësimeve në dispozicion.

Goli i barazimit erdhi në minutat shtesë, ku argjentinasi Correa mori një top në zonë dhe gjuajti menjëherë me të majtën, duke mposhtur edhe Donnarummën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA