Formula 1 dhe Pirelli do të vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre. Drejtuesit e “Liberty Media”-s, që kanë në pronësi këtë kampionat, dhe ata të kompanisë së furnizimit me goma të skuadrave të këtij kompeticioni, vendosën të rinovojnë kontratën mes tyre deri në vitin 2023, kontratë që u firmos pikërisht në Abu Dhabi, ku do të zhvillohet gara e fundit e këtij sezoni.

Pirelli mundi konkurrencën e Hankook për të fituar të drejtën për të qenë furnizuesi me goma i Formulës 1 edhe për 5 vitet e ardhshme. Tani, kompania italiane ka dy sfida përpara; të reduktojë numrin e setit të gomave për çdo skuadër, si dhe të krijojë goma 18-polëshe, që sipas rregullores do të përdoren duke nisur nga viti 2021.

Që në Botërorin e ardhshëm të Formulës 1, pilotët do të kenë në dispozicion 5, maksimumi 6 sete gomash, nga 7 që kishin aktualisht.

Shefi ekzekutiv i Pirellit, Marco Tronchetti Provera nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij për rinovimin e kontratës.

“Është një lajm i shkëlqyer. Ky akord i ri na lejon ta çojmë në 13 sezone praninë tonë në pista në kohët moderne” tha Provera.

Në të njëjtën linjë me Proverën qëndron edhe presidenti i Formulës 1, Chase Carey, i cili tha se Pirelli është një partner i besueshëm për Formulën 1 që nga viti 2011, e për këtë arsye ai ishte shumë i kënaqur për marrëveshjen e arritur. Sipas tij, rinovimi me Pirellin garanton një stabilitet afatgjatë për sa u përket gomave, që janë një komponent i rëndësishëm i Formulës 1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA