Stadiumi Monumental është gati për të pritur aktin e dytë të finales së Kupës Libertadores, mes River Platet dhe Boca Juniors, një sfidë kjo që është pagëzuar edhe me emrin ‘superclasico’, që do të startojë në orën 21:00, në ekranin e Supersport 1.

Bëhet fjalë për një ndeshje shumë emocionuese mes 2 skuadrave argjentinase, një sfidë ku nderi qëndron mbi trofeun. Për Boca Jr, Kupa Libertadortes është kthyer në një obsesion, pasi kjo skuadër është në kërkim të titullit të 7, për t’u bërë së bashku me Independienten, skuadra që e ka fituar më shumë herë këtë kompeticion.

Ndërsa River Plate, që titullin e fundit e fitoi përpara 3 vitesh, kërkon që të triumfojë për të katërtën herë në historinë e tij në Kupën Libertadores. River Plate dhe Boca Junior janë dy klubet më të preferuara në Argjentinë pasi 70% e popullisë prej 44 milionë banorësh janë tifozë të këtyre dy ekipeve.

Finalja e dytë e Kupës Libertadores përkon edhe me mbledhjen e vendeve të G20 që do të mbahet në Buenos Aires, por ky eveniment duket se ka dalë në plan të dytë në vendin amerikanolatin, ku futbolli është një fe e vërtetë.

Sfida e mbrëmjes së sotme mes River Platet dhe Boca Juniors do të jetë e 25-ta mes tyre përsa i përket Kupës Libertadores. Bilanci i përgjithshëm anon nga Boca me 10 fitore kundrejt 7 të river Plate, ndërkohë që 8 sfida janë mbyllur në barazim.

Por në stadiumin “Monumental” është River Plate që dominon me 7 fitore kundrejt 3 të Boca Juniors dhe 2 barazime. Herën e fundit që Boca mundi River Plate në transfertë në Kupën Libertadores, ka qenë në vitin 1991, me rezultatin 2-0 falë dygolëshit të Batistutës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA