Nuk ka pushim për reperin rus “Huski”, pseudonimi i Dmitrij Kuznetsov. Pas ndalimit të videove të tij muzikore dhe anulimit të disa koncerteve, ai është ndaluar nga policia në Krasnodar.

“Huski” është akuzuar për 3 vepra administrative: asamble e paautorizuar, qëndrim i parregullt i shoqëruar me mosbindje ndaj forcave të policisë, si dhe refuzim për t’iu nënstruar një ekzaminimi mjekësor.

Këto janë akuza që parashikojnë 15 ditë burgimi për secilën, sipas avokatit të “Huskit”, Aleksej Avanesvan.

“Huski” duhej të mbante një koncert të mërkurën në mbrëmje në një klub në Krasnodar. Pasi koncerti u anulua për shkak të “veprimeve ilegale ekstremiste”, organizatorët kërkuan ta spostonin në një vend tjetër, por në momentin e fundit energjia elektrike u ndërpre.

Sipas raportimeve dhe videove të qarkulluara në rrjetet sociale, “Huski” paska dalë në rrugë nga hyrja e klubit, është ngjitur në tarracën e një makine, e ka nisur të këndojë një këngë të tijën i rrethuar nga fansat, të cilët këndonin bashkë me të.

Pak çaste më vonë është arrestuar nga forcat e policisë. Kuznetsov, 25 vjeç, i lindur në “Ulan-Ude”, është shumë i ndjekur nga të rinjtë rusë. Videot e tij muzikore në bardhezi në “Youtube”, zakonisht i kalojnë 6 milionë shikime.

Këngët e tij janë të karakterizuara nga tekste të zymta dhe rima komplekse, ku shpesh në to gjenden tendenca tallëse ndaj autoriteteve, ose denoncojnë brutalitetin e policisë.

Muajin e kaluar, “Huski” ka deklaruar në rrjetet sociale se autoritetet i kanë bërë presion në disa qytete të Rusisë që të anulonte koncertet e tij, sepse këngët e tij ofendojnë besimtarët e krishterë dhe promovojnë imoralitetin.

Top Channel