Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të ketë legalizime për zonat ku ka plane për ndërtimin e veprave publike, e kjo jo vetëm për projektin e “Unazës së re”.
“Nuk mund të legalizojmë aty ku ke zënë hapësirën e përbashkët, apo aty ku është plani për t’u ndërtuar rruga. As nuk mund ta bëjë dot shteti që të legalizojë për të dhënë prona si pronarë, pasi i bie që i gjithë populli të punojë për të paguar ata që janë të palegalizueshëm”, tha Rama.
Nga Libofsha, Rama tha se gjatë madatit të tij janë legalizuar më shumë ndërtime sesa nga Qeveria “Berisha”.
“Me demek paskam thënë se shtëpitë nuk do të prishen, po kjo nuk është e vërtetë. 21 mijë banesa janë legalizuar në 8 vite, kurse ne kemi legalizuar 150 mijë objekte në 4 vite, shumica prej tyre shtëpi”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama tha se kurrë nuk ka pasur një protestë të udhëhequr nga partitë për një gjë që nuk e lejon ligji.
“Kurrë nuk ka pasur një protestë të udhëhequr nga partitë për një gjë që ligji nuk e lejon. Luftë për pushtet, gjej shesh e bëj përshesh. Edi Ramën nuk e mundim dot me votë dhe hajde të bëjmë këto, t’i vëmë flakën”, deklaroi kryeministri.
Top Channel